Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

* KUJDES: PAMJE GRAFIKE

Vrasjet mizore të kafshëve të egra vazhdojnë të mbeten pa ndëshkim!

Sezoni i gjuetisë është momentalisht i hapur në Kosovë. Edhe pse dispozitat ligjore në fuqi parashohin llojet e kafshëve që janë të lejuara të vriten, si dhe standardet dhe rregullat e vrasjes së këtyre kafshëve, në realitet këto kërkesa ligjore respektohen pak ose nuk respektohen fare.

Për fat të keq, në Kosovë, vrasja e ujkut lejohet pa asnjë analizë të thellë shkencore të species së ujkut në vendin tonë.

Organizata jonë shpesh has në foto dhe video të postuara nga vet të dyshuarit, ku shihen vrasje mizore të kafshëve të egra.

Një nga këto pamje mund ta shihni më poshtë, ku shihet një ujk i vrarë në mënyrë mizore, nga qentë e gjuetarëve, pasi ishte zënë në pritë.

Për më tepër, personi i njejtë poston edhe video të tjera, ku shihen ujqit e vegjël të ndarë nga e ëma, dhe duke u mbajtur në robëri. Sipas ligjeve në fuqi, është e ndaluar që të abuzohen kafshët gjatë gjuetisë dhe po ashtu është e ndalueshme që të vegjlit e kafshëve të egra të kapen apo të mbahen pa leje speciale nga organet kompetente.

Fatkeqësisht, raste të tilla në Kosovë nuk janë raste të izoluara, por janë raste mjaft të shpeshta, ku njerëzit vrasin dhe robërojnë kafshë të egra.

Mungesa e kontrollit të gjuetisë (qoftë ligjore apo jashtëligjore) përbën rrezik për ekosistemin dhe kafshët e egra në vendin tonë, duke rrezikuar edhe zhdukjen e specieve të rralla të kafshëve pasi që nuk ekziston asnjë raport i detajuar mbi numrin e kafshëve dhe llojet e tyre dhe menaxhimin e tyre. Planet menaxhuese të vend-gjutetive janë plane në interes të gjuetarëve për kulitivimin e kafshëve të egra që pastaj ato të vriten nga ta.

Institucionet e vendit duhet të punojnë seriozisht për rritjen e kapaciteteve për kontroll strik të gjuetisë, si dhe avancimin e legjislacionit për mbrojtje më përmbajtësore të florës dhe faunës në vendin tonë.

Organizata jonë tashmë i është drejtuar organeve ligjzbatuese për rastin në fjalë, dhe presim që i dyshuari për këtë rast të gjindet dhe dënohet sipas ligjeve në fuqi.

Nëse shihni abuzim të kafshëve të egra nga gjuetarët apo kushdo tjetër, raportoni tek ne në info@animalrights-rks.org ose në faqen tone të Facebook apo Instagram. Çdo raportim do të mbetet anonim.