Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

 

Muaj më parë, organizata jonë ka njoftuar që është duke punuar vazhdimisht edhe pas takimeve të rëndësishme me Prokurorin e Shtetit dhe Dpartamentin e Përgjithshëm të Prokuorisë Themelore në Prishtinë, që veprat penale ku përfshihen kafshët të trajtohen siç duhet nga organet ligjzbatuese të vendit dhe që keqtrajtimi i kafshëve të konsiderohet me seriozitetin që meriton. Për të arritur këtë efekt, një trajnim do të organizohet me 19 maj 2022, për organet ligjzbatuese, për hetim më efikas të rasteve të keqtrajtimit dhe neglizhencës ndaj kafshëve. 

Ky seminar është i pari i këtij lloji dhe synon të njoftoj institucionet ligjzbatuese me konceptin e mizorisë ndaj kafshëve dhe të drejtave të kafshëve në përgjithësi, me qëllim të krijimit të një sistemi të ri me ndëshkime proporcionale dhe të qëndrueshme për rrezikimin e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, në bazë të dispozitave penale në fuqi në Kosovë.

Seminari do të përshkruajë situatën aktuale me mbrojtjen ligjore të të drejtave të kafshëve dhe mangësitë dhe betejat kryesore që kanë aktualisht institucionet ligjzbatuese në këtë drejtim. Seminari gjithashtu synon të shpjegojë rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të kafshëve nga organet ligjzbatuese, dhe lidhjen mes abuzimit ndaj kafshëve me abuzimin ndaj njerëzve.

Trajnimi do të fokusohet në metodat e identifikimit të abuzimit të të drejtave të kafshëve, hetimin e veprave penale për ndjekjen efektive të autorëve të krimit, pasi është e rëndësishme që ndjekja penale të shërbejë si një parandalues i mirë për ata që shkaktojnë dhimbje dhe vuajtje tek kafshët dhe gjithashtu është një mjet i rëndësishëm edukativ për t’i parandaluar kryersit e veprave penale, që mos t’i përsërisin krimet e tyre në të ardhmen.

Seminari do të jetë një trajnim njëditor që do të zhvillohet nga Fondacioni “TIR” nga Zvicra, me ekspertë me përvojë të madhe në këtë fushë. “TIR” është krijuar për të forcuar dhe mbështetur institucionet ligjzbatuese në përgjegjësitë e tyre të zbatimit. “TIR” mbështet dhe promovon zhvillimin e mëtejshëm të ligjit dhe etikës për mbrojtjen e kafshëve dhe në marrëdhëniet midis njerëzve dhe kafshëve si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Institucionet kryesore të zbatimit të ligjit në Kosovë janë Policia e Kosovës, Prokuroritë Themelore dhe Gjykatat Themelore. Këto institucione janë të ndara në shtatë (7) regjione të Kosovës dhe nga secili institucion dhe secili rajon parashihet që në seminar të marrin pjesë nga dy zyrtarë.

Shumë raporte tregojnë që jeta kriminale e shumë njerëzve fillon me keqtrajtim ndaj kafshëve, dhe nëse nuk parandalohen dhe dënohen për dhunë ndaj kafshëve, krimet do të vazhdojnë të kryhen.

E falenderojmë shumë StrayCoCo, TIR, PETA Gjermani, Fondacionin ‘Stumme Brueder’ dhe LAV, për mbështetjen e këtij trajnimi, si dhe Akademinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për gatishmërinë për bashkëpunim në trajtimin e kësaj teme.

Për fund, i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve ligjzbatuese të jenë pjesë e trajnimit duke propozuar stafin për pjesëmarrje në trajnim.