Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Ftojmë të gjithë aktivistët/et, grupet jo formale, organizatat jo-qeveritare dhe dashamirët/et e kafshëve që të bashkohemi dhe të fillojmë hapat e organizimit dhe bashkëpunimit të shoqërisë civile, për të mirën e kafshëve:

🗓️ Data: 13.01.2024
🕓 Ora: 16:00 – 18:00
📍 Lokacioni: Termokiss

Ne e kuptojmë dhe jemi të vetëdijshëm që shumë nga ne jemi të ndryshëm në qasje dhe në punë por kjo nuk duhet të na ndalojë të bashkohemi, ta udhëzojmë njëri-tjetrin dhe të rritemi së bashku në mënyrë konstruktive për të mirën e kafshëve endacake dhe kafshëve të tjera. Misioni ynë është i përbashkët dhe jemi këtu të gjithë për të bërë jetën e kafshëve më të dinjitetshme.

Ne besojmë fuqishëm që gjithësecili bën punë të mrekullueshme në kujdesin, shpëtimin, strehimin apo çfarëdo pune tjetër për kafshët e pastreha apo për kafshët tjera (kafshët e egra, kafshët të përdorura për blegtori) andaj edhe mund të mësojmë nga njëri tjetri.

Objektivi kryesor i takimit është që të bisedojmë për sfidat më të mëdha që shoqëria civile ka (vlen të theksohet që me shoqëri civile nuk nënkuptohen vetëm OJQ-të por edhe komuniteti, grupet jo formale dhe aktivistët/et që nuk janë pjesë e administratës shtetërore) dhe si mund të bashkohemi që kërkesat tona për një jetë më të mirë për kafshët të sigurohet nga institucionet vendore që kanë për dëtyrë kujdesin dhe mbrojtjen e kafshëve.

Ky aktivitet kësaj radhe është iniciativë e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve në bashkëorganizim me Termokiss, por nuk do të thotë që ne gjithmonë dëshirojmë apo planifikojmë t’i organizojmë këto takime. Ne dëshirojmë që secili nga ne të marrë iniciativën, të bëjë thirrje për takime që të bisedojmë për çështjet që na shqetësojnë dhe të organizohemi që ta adresojmë një problematikë specifike dhe të bëjmë presionin e përbashkët tek organet shetërore.

Vetëm së bashku mund t’ia dalim!