Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Sot me datën 28 janar 2022, kryetari i komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, ka organizuar një tryezë diskutimi me shumë akterë, përfshirë edhe nivelin qendror (AUVK, MBPZHR, MAPL), për të diskutuar masat urgjente që duhet të ndërmerren në mënyrë që çështja e qenve endacak të përmirësohet dukshëm në muajt dhe vitet në vijim.

Komuna e Prishtinës veçse ka kontraktuar subjektin veterinar “AV Veterina 1” me veterinar DMV Shefki Ajdini për trajtimin e qenve endacak me metodën KSVL në Komunën e Prishtinës dhe po ashtu ka njoftuar që ka inicuar procedurat për pikat ushqyese dhe ndërtimin e Qendrës për Trajtim të Përkohshëm për kafshët endacake, sipas Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) 04/2017.

Vlen të theksohet që Komuna e Prishtinës, nuk do të ndërtojë “strehimore” siç është pronocuar dhe nuk është kontraktuar asnjë organizatë jo-qeveritare për trajtimin e qenve endacak, por nje operator ekonomik, siç është cekur më lartë.

Gjatë takimit komunal ndër-institucional ishte edhe znj. Alexandra Hammond Seaman nga projekti i BE-se “Support to establishing disease surveillance and control programs and alignment with Chapter 12 of the acquis” që mbështetë AUVK-në për propozimin e masave të qëndrueshme për menaxhimin e popullsisë së qenve, pas kërkesave të shumta edhe të organizatës tonë që çështja e qenve endacak të trajtohet me qasje strategjike institucionale, e cila ka përvojë më shumë se 20 vite në programet e menaxhimit dhe kontrollin e popullsisë të qenve dhe është po ashtu pjese e organizatës RSPCA, një ndër organizatat më të vjetra në botë për mbrojtje të kafshëve. Znj. Hammond-Seaman e cila theksoi qartë se vetëm strehimoret, nuk do të jenë dhe nuk janë zgjidhje e qëndrueshme përderisa burimi i problemit nuk zgjidhet. Gjithsesi që strehimi i kafshëve duhet të sigurohet, por të planifikohet bashkarisht me a) Identifikimin & regjistrimin e kafshëve me pronar, b) Kontrollin e mbarështuesve dhe ndalimin e mbarështimit jashtëligjor dhe të pa licencuar dhe c) kastrimin e obligueshëm të qenve me pronar që bredhin rrugëve.

Që nga viti 2015, organizata StrayCoCo dhe znj. Helen Wormser ka propozuar që çështja e qenve endacak të trajtohet nga rrënjet e problemit. Organizata StrayCoCo ka ofruar për ish-kryeshefin e AUVK-së, Valdet Gjinovcin, një vizitë studimore për të kuptuar se si funksionon Identifikimi & Regjistrimit i qenve por për fat të keq, këshillat e mirëfillta nuk janë marrë parasysh deri më tani.

Ne jemi të lumtur që edhe niveli lokal dhe ai qendror, kanë filluar ta trajtojnë problemin duke e kuptuar atë. Gjithsesi mbetet të shihen veprime konkrete nga dy palët.

Gjatë takimit është kërkuar që komunat fqinje të bashkëpunojnë dhe të bëjnë sa më shpejtë një takim koordinues dhe bashkëpunues për çështjen e qenve endacak në mënyrë që çdo hap dhe masë për trajtimin e kësaj çështje të jetë efektive dhe sa më e qëndrueshme.

Masat e propozuara gjatë takimit ishin:

  • Identifikimi dhe regjistrimi i qenve me pronar
  • Programet e KSVL-së të jenë aktive gjatë gjithë kohës për të pasur efektin e dëshiruar;
  • Vendosja e pikave ushqyese për qentë endacak
  • Kampanjat informuese për mbajtje të përgjegjshme të qenve
  • Kontrolli i mbarështuesve të qenve
  • Subvencionimi për kastrimin/sterilizimin e qenve me pronar
  • Qendra për Trajtim të Përkohshëm dhe qendrat e shpëtimit apo familjet kujdestare
  • Kujdestarët e lagjes për kafshët endacake
  • Inspektorët komunal për veterinerët dhe mbajten e përgjegjshme të qenve në Komunë
  • Parku i qenve

Të gjitha këto masa duhet të mirren paralelisht, në mënyrë që të krijohet një sistem i qëndrueshëm i menaxhimit të popullsisë së qenve. Qentë në rrugë janë vetëm pasojë e një problemi më të madh, e që është mungesa e kontrollit të qenve me pronar.

Është me rëndësi të theksohet që çfarëdo mase që ndërmirret, kërkohet edhe monitorim i mirëfilltë për të siguruar zbatimin e duhur të tyre.

Gjithsesi vlen të theksohet se Zyra e Kryeministrit është zotuar që në kuadër të ‘strategjisë kombëtare’ të parashikojë edhe mbështetjen e komunave sa i përket çështjes së qenve endacak.