Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Më shumë se 12 komuna të Kosovës kanë projekte aktive të KSVL-së, që është numër më i madh i komunave se vitet e kaluara.

Fatkeqësisht, nuk kemi pare që ndonjë komunë të ketë bërë një vlerësim fillestar të situatës me qentë endacak në territorin e tyre (p.sh. numërimi i qenve), para se të fillojnë me projektet e KSVL-së.

Vlerësimi fillestar i situatës me popullsinë e qenve në një komunë, përfshirë numërimin e qenve, është një masë e domosdoshme për të caktuar zonat e qytetit me prioritet për intervenim, sidomos në komunat me fonde të limituara për kontrollin e riprodhimit të qenve. Të dhënat si numri i përafërt i qenve, proporcioni femra-meshkuj te qentë e rrugës, numri i qenve të pakastruar/sterilizuar etj., do t’i ndihmonin secilës komunë që fondet e dedikuara për trajtimin e qenve të rrugës me metodën KSVL, të shpenzoheshin me efektivitetin më të madh.

Mbledhja e të dhënave në terren është e rëndësishme edhe për vlerësimin e efektivitetit të masave të ndërmarra, duke ndihmuar edhe në përmirësimin apo ndryshimin e masave aty ku vërehet se mungon suksesi i projekteve të implementuara.

Për më tepër, vlerësimi fillestar i numrit të qenve në një komunë, parashihet edhe me Strategjinë Kombëtare. Ky vlerësim fillestar i paraprin krijimit të programeve lokale të menaxhimit të popullsisë së qenve. Në këtë aspekt, niveli qendror duhet t’i ndihmojë komunat për mledhjen e të dhënave në terren, në mënyrë që të dizajnohen masa efektive në secilën komunë për të menaxhuar popullsinë lokale të qenve në mënyrë humane dhe për të reduktuar numrin e qenve në mënyrë të qëndrueshme.

Përveç Prishtinës, ku organizata jonë ka kryer numërimin e qenve duke mbledhur të dhëna shumë të dobishme për dinamikën e popullsisë së qenve, asnjë komunë tjetër nuk ka të dhëna të tilla.

Tashmë ka një metodë profesionale të mbledhjes së këtyre të dhënave, e cila është krijuar nga ICAM (icam-coalition.org), që është një koalicion i disa organizatave të mëdha ndërkombëtare, me përvojë të madhe në menaxhimin e popullsisë së qenve.

Meqenëse stafi i organizatës tonë tashmë ka përvojë në përdorimin e kësaj metode, si dhe ka kryer trajnimin e organizuar nga ICAM, do t’i drejtohemi komunave të Kosovës për të ofruar mbështetjen tonë, ashtu që secila komunë në të ardhmen të mbledhë të dhëna për popullsinë e qenve, në periudha më të shpeshta kohore (çdo 3 ose 6 muaj).

Është tepër e rëndësishme që këto të dhëna të mblidhen, në mënyrë që fondet publike të shpenzohen me efektivitet, por që edhe numri i qenve në rrugë të reduktohet në mënyrë të qëndrueshme, dhe qentë në anën tjetër të përfitojnë nga një mirëqenie më e mirë.