Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

BE-ja në raportin e saj të Progresit për Kosovën për vitin 2023, ndër shumë tema dhe fusha, ka prekur edhe temën e kafshëve. Më poshtë janë pikat kryesore të raportit që lidhen me kafshët:

1. Ndërsa vërehet përparim në kontrollin e qenve endacakë me aktet nënligjore të miratuara dhe një Strategji Kombëtare, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende nuk ka krijuar një sistem gjithëpërfshirës të monitorimit të sëmundjeve.
2. Sfidat vazhdojnë në kontrollin e kafshëve në ferma, transportin dhe monitorimin e tregjeve të kafshëve/therrtoreve. Planifikimi afatgjatë për programet e çrrënjosjes së sëmundjeve ka nevojë për përmirësim, gjë që pengohet nga burimet dhe trajnimet e pamjaftueshme.
3. Progresi i kufizuar në shëndetin e kafshëve është i dukshëm, me fushatat aktive të vaksinimit kundër tërbimit, por që kërkojnë ekzekutim më të shpeshtë (dy herë në vit). Përpjekjet për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve janë përmirësuar, veçanërisht për shkak të fushatës së mikroçipimit të qenve me pronarë.
4. Mungesa e inspektorëve, financimit dhe trajnimit paraqet pengesa të rëndësishme për kontrollin efektiv të sëmundjeve dhe çrrënjosjen e tyre. Kosova duhet të ketë prioritet angazhimin nga institucionet përkatëse për të ndarë burimet e nevojshme për zbatimin e duhur të legjislacionit për mirëqenien e kafshëve.

Si përfundim, ndërkohë që raporti prek disa pika të rëndësishme, vlen të theksohet se kur bëhet fjalë për kontrollin e popullsisë së qenve, progresi është minimal në këtë drejtim. Komunat në përgjithësi ende nuk kanë njohuritë e nevojshme se si të hartojnë dhe zbatojnë programe efektive lokale të menaxhimit të popullsisë së qenve (MPQ).

Një fushë tjetër e MPQ është mungesa e programeve efektive të KSVL-së. Më shumë komuna se kurrë kanë programe aktive të KSVL-së, por asnjë nga këto programe nuk ka fare planifikim. AUV dhe MBPZHR deri më tani nuk kanë punuar për të mbështetur komunat në zbatimin e programeve efektive dhe humane të KSVL-së.

Aktet nënligjore janë miratuar, por jo të gjitha. Mbeten për t’u miratuar dy akte nënligjore shumë të rëndësishme, UA për kontrollin e mbarështimit dhe shitjes së kafshëve shoqëruese dhe UA për mbajtjen e përgjegjshme të kafshëve shoqëruese. Nga ana tjetër, situata me qentë në rrugë mbetet e njëjtë. Plani i Veprimit i Strategjisë Kombëtare parashikon disa masa, shumica e të cilave nuk janë planifikuar dhe zbatuar fare deri më tani. Kontrolli i qenve me mbajtës (pronarët) është ende inekzistent, pavarësisht fushatës së mikroçipimit, ndërsa braktisjet e qenve vazhdojnë të pandëshkuara masivisht.

Tregjet e kafshëve dhe thertoret kanë kushte shumë të këqija të mbajtjes dhe transportit të kafshëve, dhe kjo është një fushë që është shumë larg standardeve të BE-së dhe mbetet ende shumë punë për të bërë.

AUV gjithashtu duhet të ndërmarrë masat e nevojshme për të aplikuar në BE për t’u shpallur vend pa prezencë të sëmundjes së tërbimit, dhe kjo nënkupton vaksinime të shpeshta dhe mbledhje të vazhdueshme të të dhënave.

Kushtet e jetesës së kafshëve në ferma janë të tmerrshme në shumë ferma në mbarë Kosovën, dhe për fat të keq institucionet përkatëse kanë bërë pak për të adresuar çështjet e mirëqenies së këtyre kafshëve.

Lexoni raportin e plotë të progresit të BE-së për Kosovën këtu: https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/kosovo-report-2023_en