Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

⚠️ KUJDES: PAMJE GRAFIKE! / WARNING: GRAPHIC CONTENT!

Një nga operatorët ekonomik (veterinari) të Komunës së Prishtinës për projektin e KSVL-së, “Goni”, po vazhdon me punë jo profesionale. Ka një kohë që ky operator nuk ka qasje të mirëfilltë bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe qytetarët.
 
Ky operator ka lejuar anëtarën e organizatës tonë të futet në qendër pasi që Komuna e Prishtinës ka lejuar një gjë të tillë por duke mos lënë të fotografohen qentë në qendër, të mos dokumentohet gjendja e boksave apo kushteve të mbajtjes dhe duke mos treguar mbi punën e tyre të kastrimit/sterilizimit.
 
Në fotot më poshtë, mund të shihni disa qen të keqtrajtuar nga ky operator për shkak të mungesës së punës profesionale dhe për shkak se AUVK dhe Komuna e Prishtinës (si autoritet kontraktues) lejojnë një gjë të tillë tash e sa muaj.
 
Qentë me zgjebë të avancuar si në fotot e mëposhtme, nëse nuk ka mundësi shërimi (që kërkon muaj të tërë), duhet të eutanazohen që mos të lihen në rrugë në atë gjendje dhe të vdesin në agoni. Veterinari Agron Pajaziti dhe partnerët e tij, kanë kastruar/sterilizuar qenin dhe kinse e kanë liruar atë në rrugë. Fatin e këtij qenit e dimë të gjithë.
 
Së fundmi, operatori në fjalë ka liruar tetë (8) qen të moshës së re në një lagje të Prishtinës ku nga tetë (8) qentë, katër (4) qentë e gjinisë femërore kanë pasur probleme me plagë dhe nuk janë shëruar edhe tre javë pas operimit. Pse janë shëruar tash së fundmi, është për shkak se organizata jonë ka ndihmuar me trajtim veterinar dhe falë një aktivisteje të zellshme që po kujdeset për ata këlysh në lagje. Këto trajtime nuk janë rastësi apo raste të rralla. Shumë qen të tjerë ne as nuk i shohim se si përfundojnë dhe nuk është normale që 4 plagë të mos jenë në rregull.
 
Puna neglizhente dhe jo profesionale duhet të ndalohet dhe kontratat e tilla të punës duhet të pezullohen (apo edhe ndërpriten) dhe ne mbetemi të shokuar se si AUVK dhe Komuna e Prishtinës ende lejon një gjë të tillë. Qysh nga viti 2018 jemi duke u ankuar për punën jo profesionale të veterinerëve dhe ende sot AUV nuk është në gjendje të organizojnë trajnime për veterinerët por lejojnë që qentë endacak të coptohen dhe keqtrajtohen nga ta. Kjo i diskriminon edhe veterinerët e mirë, të cilët për shkak të mosndëshkimeve të AUV-së për veterinerët neglizhentë dhe joprofesionalë, trajtohen si të barabarartë me ta.
 
Për më tepër, AUVK shumë shpesh mundohet që këtë përgjegjësi t’ja lëjë Odës Veterinare të Kosovës (OVK), por nuk duhet të harrojmë që Oda Veterinare e Kosovës ligjërisht është vetëm OJQ, dhe nuk ka autoritet ligjor për të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj veterinerëve joprofesional. AUVK ka kërkuar nga OVK që të themelojë komisionin e etikës për vlerësimin e trajtimeve të qenve, dhe sipas informatave që kami, OVK e ka themeluar komisionin dhe është munduar të kryejë vizita, por anëtari i AUVK-së nuk ka qenë i qasshëm.
 
Nga çdo organizatë profesionale botërore me përvojë shumëvjeçare në menaxhimin e popullsisë së qenve, rekomandohet fuqimisht që çfarëdo projekti për menaxhimin e kësaj popullsie të fokusohet në mirëqenien e qenve, pasi që ngritja e mirëqenies së qenve do të ndikojë në zvogëlimin e qenve në rrugë. Nga heshtja institucionale ndaj fenomeneve negative, po kuptohet qartë se këto institucione nuk e kanë pasur prioritet mirëqenien e kafshëve në projektet e KSVL-së deri më tani.