Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar anëtarin e atëhershëm të stafit të QTK (kontraktor i komunës së Prishtinës për projektin e KSVL-së në Prishtinë), për shkak të vrasjes përmes anestetikëve të një qeni me pronar që ishtë menduar si qen endacak, gjatë aksionit për kapjen e qenve endacak për kastrim/sterilizim.

Dënimi është shumë simbolik (120 EUR) dhe në rast se nuk ka për të paguar këtë shumë, aplikohet 6 ditë burgim. Nuk jemi të kënaqur se si Prokuroria dhe Gjykata nuk e kanë marrë parasysh Nenin 343 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që parasheh dënime për dhënien e ndihmës veterinare në mënyrë të pandërgjegjshme. Përkundër kësaj, Gjykata ka vërtetuar veprimet e të akuzurit/dënuarit me këtë rast.
 
Ky rast e dëshmon edhe njëherë që stafi i shumë subjekteve veterinare të kontraktuara në projekte publike të KSVL-së, ka mungesë të trajnimeve bazike për procedurat e KSVL-së (kap, sterilize, vaksio, lësho).
 
Udhëzimi Administrativ (MBPZHR) 02/2023 për Strehimoret, parasheh që çdo strehimore apo qendër për KSVL, duhet të ketë stafin e trajnuar dhe të dëshmojë këto trajnime pranë AUV-së. Jemi duke pritur nga AUV të na tregojnë se a janë plotësuar të gjitha kërkesat ligjore për licencimin e qendrave tashmë të licencuara.
 
Mungesa e trajnimeve dhe njohurive për procese thelbësore të KSVL-së, siç është kapja e qenve, qon në trauma dhe shqetësim për qentë endacak, e siç po vërehet edhe në këtë rast, në vdekje të qenve, për shkak të administrimit të gabuar të anestetikëve.
 
Fatkeqësisht, përveç trajnimeve tejet të pakta për kastrim/sterilizim, në Kosovë nuk janë mbajtur asnjëherë trajnime për procese tjera të KSVL-së, siç është kapja e qenve. Edhe përkundër trajnimeve për kastrim/sterilizim, dhe përkundër projekteve të shumta publike, ende ka subjekte veterinare dhe veterinerë që nuk dijnë të kryejnë një sterilizim siç duhet, siç është rasti me operatorin “Goni” dhe punën e tij në Komunë të Prishtinës.
 
Presim që AUV dhe Oda Veterinare e Kosovës të angazhohen aktivisht në ngritjen e kapaciteteve veterinare, sidomos në procedurat e trajtimit të kafshëve të vogla siç janë qentë🐶, pasi që për shumë veterinerë, kjo mbetet ende një fushë mjaft e panjohur.
 
Organizata jonë është e gatshme të mbështesë AUV dhe OVK në organizimin e këtyre trajnimeve dhe ka ofruar një gjë të tillë tashmë.