Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Organizata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me komunën e Ferizaj, për monitorimin e projektit të KSVL-së në këtë komunë, që pritet të fillojë së shpejti.

Përmes këtij memorandumi, organizata jonë është e autorizuar të monitorojë projektin në fjalë dhe të bëjë vizita në qendrën për trajtim në çfarëdo kohe dhe duke monitoruar edhe sallën ku do të operohen qentë. Organizata jonë do të angazhojë edhe ekspertë të fushës veterinare për të parë punën e veterinerëve.

E përgëzojmë komunën e Ferizajit që në këtë projekt ka zgjedhur një qasje bashkëpunues dhe transparente dhe që është treguar e hapur për shoqërinë civile që të përcjellë mbarëvajtjen e këtij projekti.

Fitues i këtij projekti është operatori ekonomik “Goni”, i cili nuk njihet për punë transparente dhe në fakt në projektin e komunës së Prishtinës ka penguar disa herë punën e organizatës tonë për dokumentimin e gjendjes së qenve të hospitalizuar në qendrën për trajtim. Prandaj, i bëjmë thirrje secilit aktivist dhe dashamirës të kafshëve në Ferizaj, që të jenë vigjilent dhe të lajmërojnë çdo parregullsi në trajtimin e qenve me metodën KSVL. Po ashtu bëjmë thirrje komunitetit që të fotografojnë qentë në lagjet e tyre.

Ju rikujtojmë që sipas Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) 02/2023, secila strehimore dhe qendër për KSVL, është e detyruar të jetë e hapur për vizitorë për së paku 4 orë në ditë, çdo ditë të javës. Pra, secili qytetar mund të vizitojë qendrën gjatë orarit të vizitave, për të parë gjendjen e qenve të trajtuar.

Për çfarëdo risie në këtë drejtim, do të ju informojmë me kohë.