Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

📢 Kërkesë e hapur për angazhim të Qeverisë në çështjen e menaxhimit të qenve me dhe pa pronar (endacak)

📑 Strategjia Kombëtare për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe Pa Pronar, është aprovuar tash e një vit (tetor 2022), por përkundër kësaj, Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndarë buxhet për zbatimin e strategjisë, ashtu siç parashihet edhe me planin e veprimit. Viti 2023 ishte pa buxhet dhe pa zbatim të Strategjisë.

Edhe pse komunat (niveli lokal) e kanë përgjegjësinë kryesore të zbatimit të masave të Strategjisë Kombëtare, nuk mund të bëjnë një punë efektive dhe të qëndrueshme në reduktimin e numrit të qenve 🐕 në rrugë pa koordinimin me nivelin qendror pasi që çdo masë që po ndërmerret në nivel komunal, nuk po e zgjidh situatën në mënyrë gjithpërfshirëse dhe të qëndrueshme (nga mungesa e vlerësimit të dinamikës së qenve, prioritetit të sterilizimit në qentë që rrisin numrin, mungesa e monitorimit të projekteve KSVL apo të tjera, mungesa e inspektimeve veterinare, mungesa e monitorimit të qenve me pronar dhe ndërgjegjësimit të pronarëve të qenve, etj.).

Përveç disa komunave më të mëdha, shumë komuna në Kosovë nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për të zbatuar masat e strategjisë. Disa komuna kanë projekte aktive të KSVL-së për ndalimin e riprodhimit të qenve. KSVL është një masë e domosdoshme që duhet të jetë aktive gjatë tërë kohës në komuna por pa monitorim dhe vlerësim të mirëfilltë dhe masa tjera që duhet ndërmirren paralelisht, nuk do të ketë efektin e dëshiruar.

📜 Avancimi i kornizës ligjore për të kontrolluar burimin e problemit, e që janë qentë me mbajtës (pronar), inspektimet e vazhdueshme për mbajtje të përgjegjshme të qenve, inspektimet e pet-shopeve dhe personave fizik/juridik që mbarështojnë qentë, janë detyrë e nivelit qendror, përkatësisht Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Organizata jonë i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të alokojë buxhet për zbatim të Strategjisë dhe t’i mbështesë dhe të bashkëpunojë me komunat për të menaxhuar popullsinë e qenve në mënyrë humane dhe efektive.

Vetëm me një qasje gjithëpërfshirëse të zgjedhjes së problemit, mund të shohim përmirësime.