Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

⚠️ KUJDES, PAMJE TË RËNDA!

Sipas portalit Peja në Fokus, në qytetin e Pejës së fundmi ka pasur incidente të helmimit të qenve endacak. Duam të theksojmë se ky nuk është vetëm një akt mizor dhe çnjerëzor, por është edhe vepër penale. Helmimi i këtyre kafshëve të pafajshme nuk është zgjidhja për të reduktuar numrin tyre në rrugë.

Është mjaft shqetësuese të shohësh se qentë kryesisht miqësorë me njerëzit vuajnë pasojat e një krimi kaq të tmerrshëm.

Një nga problemet e dukshme është se komuna e Pejës ka vite që nuk ka projekt aktiv për trajtimin e qenve edhe pse në takimin e fundit gjatë verës ka premtuar se do të fillojë me KSVL sa më shpejt që të jetë e mundur dhe megjithatë ende nuk ka projekt aktiv. Mungesa e iniciativave si fushatat e kastrimit/sterilizimit të qenve endacak, ka lejuar që qentë të shumohen lirshëm.

Rrjedhimisht, shumë qen vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe është e dhimbshme të shohësh kaq shumë prej tyre me probleme të tmerrshme të lëkurës. Kjo gjendje e tmerrshme gjithashtu mund të acarojë komunitetin dhe nuk u jep atyre shpresë se Komuna e Pejës është duke bërë diçka për të ndaluar riprodhimin e qenve endacak.

I bëjmë thirrje komunës së Pejës që të ndërmarrë veprime të menjëhershme duke filluar projektet që kanë për qëllim kontrollin e riprodhimit të qenve endacak (KSVL), promovimin e Identifikimit dhe Regjistrimit të qenve me mbajtës dhe fillimin e një fushate ndërgjegjësuese për komunitetin. Këto nisma janë thelbësore jo vetëm për mirëqenien e qenve endacakë, por edhe për shëndetin dhe sigurinë e përgjithshme të komunitetit.

Për më tepër, kërkojmë nga autoritetet që të hetojnë dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët e këtyre krimeve. Veprime të tilla nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar, pasi dëmtojnë jo vetëm miqtë tanë katërkëmbësh, por rrezikojnë edhe shëndetin publik. I bëjmë thirrje komunitetit që t’i raportojë këto akte në institucionet ligjzbatuese dhe të kërkojë veprim dhe drejtësi për kafshët.

Organizata jonë po ashtu do të dorëzojë kallëzim penal dhe do t’i kërkojmë zyrtarisht Policisë dhe Prokurorisë që të veprojnë!