Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Së fundmi, organizata jonë ka paraqitur një kërkesë zyrtare në Ministrinë e Mjedisit (MMPHI) për të marrë informata në lidhje me objektet e licencuara që mbajnë kafshë të egra, në kuadër të analizës ligjore që po bëjmë dhe për të kuptuar më mirë se sa është zbatuar legjislacioni në Kosovë për mbrojtjen e kafshëve të egra në Kosovë.

Pasi kemi marrë informatat e nevojshme nga MMPHI, kemi kuptuar që asnjë objekt (restaurant, pet shop apo entitet tjetër) nuk është i licencuar të mbajë kafshë të egra dhe nuk dihet se nga ku janë marrë këto kafshë. 🚫🦁

Restorante të shumta dhe të ashtuquajturat “kopshte zoologjike”, mbajnë ilegalisht një sërë kafshësh të egra, duke filluar nga ujqërit, drerët, shqiponja, majmunët, deri te kangurët, e madje edhe një luan (e mbani mend luanin Gjoni?). Këto kafshë shfrytëzohen për argëtim dhe përfitim, duke duruar kushte të këqija të mbajtjes që rrezikojnë mirëqenien e tyre.

Kjo situatë shqetësuese kërkon veprime urgjente nga institucionet përgjegjëse, të cilat duhet të angazhohen për zbatimin e legjislacionit ekzistues për të mbrojtur kafshët e egra dhe sidomos të mos lejohet robërimi i kafshëve të egra nga natyra.

Kërkojmë që t’u ndalohet të gjitha restoranteve dhe kopshteve zologjike mbajtja dhe sjellja e kafshëve tjera të egra, si dhe të ndalohet promovimi dhe shfrytëzimi i kafshëve të egra për qëllime biznesore. Po ashtu, kërkojmë konfiskimin e çdo kafshe të mbajtur në mënyrë të paligjshme, duke ndryshuar/plotësuar “Udhëzimin Administrativ 01/2012 Për kushtet e mbajtjes, mënyrën e shenjëzimit dhe evidentimit të shtatëve të mbrojtura në internim”. Shteti duhet të ndërtojë infrastrukturën e nevojshme (qendrat e shpëtimit) për mbajtjen e përshtatshme të kafshëve të egra të konfskuara (bazuar në llojin e tyre) deri në gjetjen e një zgjidhje të përshtatshme afatgjate. 🏞️🐾

I bëjmë thirrje secilit prej jush që të luftojë mizorinë ndaj kafshëve duke bojkotuar restorantet që keqmbajnë kafshët e egra. Mos harroni, i vetmi vend i ligjshëm për kafshët e egra është në habitatet e tyre natyrore!