Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

🚨 Institucionet e drejtësisë vazhdojnë me dënime të buta për organizimin e përleshjeve mes qenve🚨

Gjykata Themelore në Gjilan, dega Viti, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan për urdhër ndëshkimor për të pandehurin A.R., për organizim ose pjesëmarrje në përleshje mes qenve.

Me këtë rast, Gjykata ka shpallur fajtor të pandehurin, dhe e ka dënuar me gjobë 150 EUR, denim të cilin organizata jonë e konsideron tejet simbolik.

Jemi të dëshpëruar që insituticonet e drejtësisë (Prokuroritë dhe Gjykatat) vazhdimisht japin dënime minimale për pjesëmarrje apo organizim të luftimeve mes qenve, me shuma që zakonisht janë lehtësisht të mbulueshme nga kryesit e këtyre veprave penale.

Po ashtu, duhet të ceket që ka mjaft raste, kur raportimet e luftimeve mes qen nuk trajtohen fare, apo hudhen poshtë nga Prokuroria, shpesh pa zhvilluar hetime fare.
Organizimet e luftimeve mes qenve janë prezente në tërë Kosovën, dhe në shumicën e këtyre rasteve, shuma e basteve të vendosura arrin shifra të konsiderueshme të parave, prandaj edhe këto dënime simbolike nuk mund të shërbejnë për të parandaluar pjesëmarrjen apo organizimin e luftërave të tilla në të ardhmen.

Për më tepër, në asnjë nga rastet e gjykuara deri më tani, as Prokuroria nuk ka kërkuar, por as Gjykata nuk ka urdhëruar konfiskimin e qenve që janë viktima dhe përjetojnë vuajtje të shumta. Qentë vazhdojnë të mbesin me mbajtës/pronarë abuziv, deri kur të detyrohen të përleshen përsëri nga pronarët e tyre, duke rrezikuar skajshëm mirëqenien e kafshëve.😢🐕

Fatkeqësisht, dispozitat e Kodit Penal për luftërat mes qenve janë të pamjaftueshme për të ndalur këtë fenomen abuziv, e në anën tjetër, edhe kjo dispozitë aktuale, e cila parasheh burgim deri në 6 muaj, nuk po gjen zbatim në praktikë. Nëse keqbërësit nuk burgosen dhe nuk iu konfiskohen qentë, asnjë denim tjetër monetar nuk sjellë përmirësim të situates dhe nuk parandalon abuzimin ndaj qenve.

Është tejet e rëndësishme që institucionet ligjzbatuese të ngrisin kapacitetet dhe t’i kushtojnë shumë më shumë vëmendje veprave penale që ndërlidhen me abuzimin e kafshëve, në mënyrë që të mos inkurajojnë njerëzit të mirren me këto veprimtari ilegale, që në fakt janë mjaft fitimprurëse për abuzuesit e kafshëve. Po ashtu, duhet të krisin kapacitetet strehuese për rastet e tilla, që të paktën përkohësisht të sistemohen në ndonjë infrastrukturë strehuese dhe të mos lihen tek abuzuesit e tyre.